
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar për gjykim pesë persona të akuzuar për blerje votash në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.
Sipas SPAK, Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi dhe Engjell Cara akuzohen për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, të kryer në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur. Hetimet kanë dokumentuar 64 raste të ofrimit të biletave të udhëtimit të parapaguara për votues në favor të një kandidati të caktuar.
I pandehuri i pestë, Shkëlqim Hoxha, ish-kandidat për kryetar bashkie nga Partia Demokratike, akuzohet për “moskallëzim krimi”, pasi sipas SPAK ka qenë në dijeni të veprimtarisë së paligjshme, por nuk e ka denoncuar.
Çështja është referuar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, pas bashkimit të dy procedimeve penale të nisura nga referime të Policisë së Durrësit.