
Nga Zenel Çeliku

Nisur nga fakti që në Hagë janë burgosur katër personalitete, me në krye ish-presidentin Hashim Thaçi, domosdo duhet të ndalojmë e të analizojmë të vërtetën e kësaj çështjeje historike. Deri tani rezulton se Thaçi me shokë aspak nuk janë përfshirë në krime. Para një situate shumë të tensionuar në publikun e Kosovës, natyrshëm lind pyetja:
Çfarë është Gjykata Speciale (GJS) dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS)?
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u krijuan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, mbi bazë ligjore të Kosovës, por të vendosura në Hagë dhe të përbëra nga gjyqtarë me staf ndërkombëtar.
Përballë disa akuzave të pavërteta, politike dhe dashakeqe, GJS dhe ZPS do të hetonin dhe do të gjykonin me drejtësi. Por a ka pasur krime ndaj njerëzimit nga UÇK-ja, të urdhëruara nga udhëheqësit e saj? Periudha e hetimeve është midis janarit 1998 dhe dhjetorit 2000, e lidhur me luftën pushtuese serbomadhe në Kosovë, siç përmendet në raportin famëkeq të Këshillit të Evropës në vitin 2011, të cituar nga raporti i falsifikuar i Dick Marty-t. Paradoksi më i madh historik është se nuk gjykohen krimet e pushtuesit serb, por gjykohen vetëm aty ku dyshohet për përgjegjësi të anëtarëve të UÇK-së. Ky është burim i madh polemikash dhe ndjenjë padrejtësie te shumë shqiptarë të Kosovës.
Dua të ndalem me fakte: në shkurt 1998 filloi intensifikimi i luftimeve midis UÇK-së dhe forcave pushtuese serbe, sidomos në Drenicë dhe pastaj kudo në Kosovë. Filluan raportimet për shkelje të të drejtave të njeriut nga të dyja palët, por që nga ky moment raporti ishte i njëanshëm në favor të Serbisë pushtuese. Në mars 1998, makineria kriminale e Millosheviçit bëri masakër në Prekaz e pastaj kudo ku shkeli. Ky moment indinjoi pa masë kosovarët dhe, si pasojë, filluan masivisht rekrutimet në UÇK. Në prill–qershor 1998, UÇK-ja rriti kontrollin territorial mbi disa zona, duke përfshirë Dukagjinin dhe Drenicën. Në janar 1999, masakra e Reçakut tronditi opinionin ndërkombëtar dhe çoi në ndërhyrje diplomatike. Në mars–qershor 1999, NATO nisi fushatën ajrore kundër forcave serbe. Në qershor 1999 u realizua Marrëveshja e Kumanovës: pushtuesit serb u tërhoqën, ndërsa KFOR-i hyri në Kosovë. UÇK-ja pranoi të çarmatoset dhe të transformohet në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK).
Në vitet 2003–2005, Gjykata e Hagës ndoqi disa raste të figurave të UÇK-së, por shumica u shpallën të pafajshëm për mungesë provash. Në shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Shumë ish-komandantë të UÇK-së morën poste kyçe në politikë. Në vitet 2010–2015, doli në skenën publike ndërkombëtare raporti shpifarak i Dick Marty-t. Në dhjetor 2010, raporti i Këshillit të Evropës, i fabrikuar nga Dick Marty, akuzoi disa ish-zyrtarë të UÇK-së për përfshirje në krime lufte dhe trafik organesh. Raporti përmend emra si Hashim Thaçi e të tjerë. Në vitin 2011, u krijua Task-Forca Hetimore Speciale, nën presionin e BE-së, për të hetuar pretendimet (shpifjet) e Dick Marty-t. Në vitin 2014, Task-Forca Hetimore deklaroi se ka prova të mjaftueshme për të ngritur akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër udhëheqësve të UÇK-së. Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës, nën presion ndërkombëtar, miratoi themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Në vitet 2016–2018, Zyra e Prokurorit të Specializuar filloi marrjen në pyetje të ish-anëtarëve të UÇK-së: Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin. Në vitin 2019, u publikuan papritur thirrjet për katër figurat e larta të UÇK-së që të hetohen në Hagë. Opinioni publik në Kosovë këto thirrje drejt Hagës i quajti “proces politik”. Më 24 qershor 2020, Zyra e Prokurorit Special shpalli se ka dorëzuar një aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit për krime lufte dhe kundër njerëzimit.
Procesi gjyqësor ndaj udhëheqësve të UÇK-së — Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi — filloi me akuza të pretenduara, të fabrikuara me keqdashje nga Dick Marty: krime kundër njerëzimit, vrasje, përsekutim, burgosje, tortura, zhdukje me forcë e të tjera. Ky është paradoksi shekullor: kush bëri krime ndaj njerëzimit dhe kush burgoset nga një gjykatë me gjyqtarë ndërkombëtarë? Kjo është drejtësia e ndërkombëtarëve?
Prokuroria nuk po pretendon se katër udhëheqësit e UÇK-së, si drejtues, kanë urdhëruar, lejuar ose nuk kanë penguar kryerjen e krimeve të supozuara. Strategjia e mbrojtjes, në mënyrë shumë profesionale, thekson se UÇK-ja si forcë çlirimtare është legjitime. Trupa mbrojtëse e katër udhëheqësve të UÇK-së thekson se ka mungesë absolute të provave të drejtpërdrejta që i lidhin të akuzuarit me krime ndaj njerëzimit.
Udhëheqësit e UÇK-së padrejtësisht janë mbajtur të burgosur nga një gjykatë e cila u themelua nga Kuvendi i Kosovës dhe paguhet nga taksapaguesit e Kosovës. Kjo ka bërë që debati publik dhe politik të ngrihet në nivele shumë të larta në Kosovë, aq sa kërkohet rrëzimi i Gjykatës së Hagës dhe që udhëheqësit e UÇK-së të gjykohen nga Gjykata e Kosovës, nëse provohet me fakte se ata kanë kryer krime apo jo. Pse Gjykata e Hagës nuk fokusohet te krimet e serbëve? Shumë në Kosovë e shohin këtë si padrejtësi historike. Brenda Kosovës, katërshja — Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi — shihen nga populli i Kosovës (me përjashtim të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit) si heronj të Luftës Çlirimtare. Ndërsa jashtë Kosovës, deri në Amerikë, ka shumë vërejtje për burgosjen pa prova të katër figurave historike të Kosovës.
Para një situate shumë provokuese për këtë padrejtësi, të enjten e kaluar veteranët e luftës së Kosovës mbajtën një protestë të madhe kundër një gjykate të mbështetur nga Bashkimi Evropian, që gjykon ish-luftëtarët e tyre që luftuan për pavarësi nga Serbia. Protestuesit pretendojnë se Gjykata e Hagës është e njëanshme dhe e padrejtë. Mijëra njerëz u mblodhën në Prishtinë, në sheshin kryesor Skënderbej, për të brohoritur në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së, të arrestuar si një grup guerilas i shqiptarëve të Kosovës që udhëhoqi luftën për pavarësi. Protesta u organizua nga shoqata e veteranëve, e njohur si OVL-UÇK, nën moton: “Së bashku kundër padrejtësisë. UÇK-ja është lavdi, jo aktakuzë.”
Nëse Gjykata në Hagë do të vazhdojë me këto aktakuza absolutisht të pavërteta, sot luftohet dhe përçmohet UÇK-ja; nesër e gjithë historia e Kosovës do të fshihet, duke mohuar heroizmin historik të luftës kundër krimeve të kryera nga serbët.