
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka paraqitur një kërkesë zyrtare në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), duke kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë së akteve hetimore të kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër tij.
Në kërkesën me 77 faqe, Veliaj pretendon se hetimet janë zhvilluar nga një person që nuk ka pasur kurrë statusin ligjor të prokurorit, se janë përdorur kallëzime të falsifikuara dhe se janë shkelur afatet dhe procedurat ligjore. Ai përmend gjithashtu sekuestrimin e të dhënave pa vendim gjykate dhe pengimin e të drejtës për mbrojtje.
Sipas tij, Prokuroria ka përdorur ekspertë të varur nga organi i akuzës dhe ka “fraksionuar” çështjen, duke cenuar sigurinë juridike.
Veliaj, i cili ndodhet prej muajsh në paraburgim për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, ka kërkuar edhe ndryshimin ose revokimin e masës “arrest me burg”, e konfirmuar më 12 shkurt nga Apeli.