
Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, gjatë konferencës vjetore të Institutit të BE-së për Studime të Sigurisë (EUISS) në Bruksel, theksoi fuqinë ekonomike dhe diplomatike të BE-së, por gjithashtu pranoi se Unioni nuk po arrin ta përdorë ndikimin e tij.
“BE-ja është e ndarë midis anëtarëve të saj sa i përket luftës në Gaza. Po, është e vërtetë se BE-ja po dështon të përdorë fuqinë e tij gjeopolitike në Gaza. Ne po hasim vështirësi sepse 27 shtetet anëtare kanë qëndrime të ndryshme për këtë çështje”, tha Kallas.
Ajo shtoi se Evropa mund të përdorë forcën e saj të plotë vetëm kur vepron e bashkuar. Kallas theksoi gjithashtu se kriza humanitare në Gaza është një test themelor i vendosmërisë së Evropës për të mbrojtur vlerat e saj ndërkombëtarisht.
Sipas saj, BE-ja ka ndihmuar Gazën më shumë se çdo aktor tjetër ndërkombëtar, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të ndryshuar situatën në terren. Ushtria izraelite po zhvillon një ofensivë brutale ushtarake në Rripin e Gazës, duke vrarë më shumë se 63.700 palestinezë, ndërsa enklava po përballet me zi buke. Ndërkohë, Izraeli po përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.