
Presidenti Bajram Begaj deklaroi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj paqes, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe vlerave demokratike.
Ai dënoi agresionin rus ndaj Ukrainës, kërkoi përfundimin e luftës në Gaza dhe mbështeti përpjekjet ndërkombëtare për një armëpushim të qëndrueshëm mes Izraelit dhe Palestinës.
Për rajonin, Begaj tha se vendi i Kosovës në Asamble “mbetet padrejtësisht bosh” dhe se anëtarësimi i saj në OKB do të ishte një akt drejtësie dhe kontribut për paqen në Ballkan.
Kreu i shtetit theksoi gjithashtu objektivin e Shqipërisë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit në BE në vitin 2027 dhe për t’u bërë anëtare e plotë deri në vitin 2030. Ai përmendi reformat në digjitalizim, arsimin dhe luftën kundër korrupsionit, duke theksuar rolin e rinisë si investimi më i qëndrueshëm për të ardhmen.