
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se ka ngarkuar Flamur Nokën, Belind Këlliçin dhe Ilir Alimehmetin për të negociuar me partitë e tjera të spektrit opozitar për zgjedhjen e kandidatit për Bashkinë e Tiranës.
Takimet nisin menjëherë dhe synojnë të prodhojnë një kandidaturë unike që do të sfidojë Partinë Socialiste në kryeqytet. Për pesë bashki të tjera, Berisha tha se opozita ka tashmë kandidatë, por nuk dha emra.
“Noka, Këlliçi dhe Alimehmeti janë të ngarkuar të negociojnë me të gjitha partitë opozitare, brenda dhe jashtë koalicionit,” tha Berisha, duke theksuar se procesi synon dakordësim të plotë përpara shpalljes së emrave.
Hapja e këtij procesi shënon përpjekjen më të drejtpërdrejtë të opozitës për të ndërtuar konsensus përballë mazhorancës në zgjedhjet vendore në kryeqytet.