
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Pas daljes nga SPAK, Berisha akuzoi kreun e institucionit, Altin Dumani, për “bashkëpunim me krimin” dhe e quajti sistemin e drejtësisë të kapur nga “produkte mafioze të organizatës kriminale të Sorosit”. Ai sulmoi edhe gjyqtaren e GJKKO-së, Irena Gjoka, duke thënë se “mbron detyrën në shkelje të ligjit” me mbështetjen e KLGJ-së.
Ndaj Berishës rëndon akuza për korrupsion pasiv lidhur me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. SPAK thotë se, si ish-kryeministër, ai ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas prokurorisë, privatizimi është kryer në mënyrë të parregullt, duke i sjellë përfitime Malltezit dhe dëm ekonomik shtetit.
Berisha i ka cilësuar akuzat politike.