
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, të vendosur nga Apeli i GJKKO-së. Ai mbërriti rreth orës 10:00 dhe, para gazetarëve, akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumani, se ka përdorur detyrën për interesa personale dhe se po mban peng dosje të rëndësishme.
“Altin Dumani është kriminel kushtetues, një puçist që zgjati mandatin e tij për pazare. Mandati i tij mbaron në dhjetor dhe do të largohet si një njeri që e zhyti institucionin në krim,” deklaroi Berisha, duke shtuar se SPAK “nuk është prokuroria e një individi”.
Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv” në privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, proces për të cilin SPAK pretendon se ai ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit përballet me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas prokurorisë, privatizimi ka sjellë përfitime të paligjshme dhe dëm ekonomik për shtetin.
Berisha ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato tërësisht politike. Dosja tashmë është kaluar për gjykim në GJKKO.