
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shpalli renditjen e kandidatëve për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese. Në krye të listës me më shumë pikë është Asim Vokshi me 89.5 pikë, i ndjekur nga Naureda Llagami me 89.3. Pas tyre renditen Florian Ballhysa, Alma Faskaj, Genta Tafa dhe Alban Toro me 74.22 pikë.
Nga kjo listë me gjashtë kandidatë, Gjykata e Lartë duhet të zgjedhë një emër për të zëvendësuar gjyqtaren Holta Zaçaj.
Mandati i Zaçajt ka shkaktuar përplasje mes Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Sipas Gjykatës së Lartë, mandati i saj përfundon më 10 mars 2025, ndërsa vetë Zaçaj ka pretenduar se është zgjedhur me mandat të plotë 9-vjeçar. Në dhjetor 2024, Gjykata e Lartë shpalli vakancën, duke e konsideruar të përfunduar mandatin, ndërsa Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese thirri mbledhjen për ta formalizuar.
Zgjedhja e anëtarit të ri pritet të zgjidhë përkohësisht ngërçin institucional.