
Kuvendi mblidhet sot në një seancë maratonë ku kryeministri Edi Rama do të prezantojë programin e qeverisë për periudhën 2025–2029 dhe do të kërkojë votëbesimin për kabinetin e ri. Sipas marrëveshjes mes krerëve të grupeve parlamentare, çdo deputet do të ketë nga 10 minuta kohë diskutimi.
Programi “Shqipëria 2030” është ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: Shqipëria Evropiane, rritja ekonomike e qëndrueshme dhe mirëqenia për të gjithë.
Shqipëria Evropiane synon anëtarësimin e plotë në BE brenda vitit 2030, me mbylljen e negociatave në 2027 dhe nënshkrimin e traktatit. Ajo përfshin reforma në drejtësi, administratë, antikorrupsion, siguri kibernetike, politikën e jashtme dhe diasporën, si edhe mbrojtjen e sigurinë kombëtare.
Shtylla ekonomike parashikon rritjen e PBB-së në 35 miliardë euro deri në vitin 2029 dhe të ardhurat për frymë në 15 mijë euro. Masat përfshijnë taksë 0% për bizneset e vogla deri në 2029, mbështetje për inovacionin, kapitalin njerëzor, turizmin, bujqësinë, energjinë dhe infrastrukturën moderne.
Mirëqenia fokusohet në arsimin dhe shëndetësinë. Janë parashikuar 1 000 laboratorë inteligjentë, integrimi i kodimit dhe inteligjencës artificiale në shkolla, trefishim i buxhetit për shëndetësinë, rikonstruktim i 53 spitaleve dhe ndërtim i spitaleve të reja. Programi përfshin rritje pagash, bonus për bebet, strehim social, kujdes për të moshuarit e personat në nevojë, si edhe masa për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e sportit e kulturës.