
Policia e Shtetit prezantoi masat për garantimin e rendit dhe sigurisë në institucionet arsimore në nisje të vitit shkollor 2025-2026.
Drejtori i Rendit Publik, Agron Çeli, tha se strukturat e policisë do të monitorojnë brenda dhe jashtë shkollave për parandalimin e veprimtarive kriminale, bullizmit dhe konflikteve mes nxënësve. Po ashtu, do të ndalohet parkimi pranë shkollave dhe do të mbyllen pikat e shitjes së paligjshme që shesin alkool apo ushqime të skaduara.
Policia do të zhvillojë orë informuese për nxënësit mbi përdorimin e lëndëve narkotike, mbajtjen e armëve dhe rreziqet kibernetike. Çeli ftoi prindërit dhe qytetarët të denoncojnë çdo rast të dyshimtë në numrin 112.