
Rreth 5 mijë shqiptarë u mblodhën dje në Hagë, pranë Dhomave të Specializuara, duke kërkuar drejtësi për ish-udhëheqësit e UÇK-së. Me flamuj dhe pankarta, protestuesit vijuan manifestimin në një park një kilometër larg godinës, nën masa të rrepta sigurie.
“Na ka mbledhur zëri i padrejtësisë. Nuk duam liri pa ju. Liria pa ju është robëri,” tha Flakë Fazllia, vajza e një dëshmori. Ish-luftëtari Fatmir Koçi shtoi: “Aktakuzë pa baza për të shkatërruar ata që kanë mbrojtur nderin e kombit. Qeveria po hesht. Ky është turp.”
Robert Bosch, ish-ambasador i Holandës në Kosovë, kritikoi ashpër themelimin e gjykatës: “Është e pamendueshme të arrihet në përfundimin se UÇK ishte organizatë kriminale. Procesi po tejzgjatet dhe nuk është serioz.”
Protesta përfundoi pa incidente, pavarësisht monitorimit nga policia dhe ngritjes së një helikopteri mbi zonë. Mesazhi që u përcoll ishte i qartë: “Boll padrejtësive ndaj çlirimtarëve të Kosovës.”