
Të paktën 50 mijë njerëz u mblodhën dje në sheshin Tandoghan të Ankarasë në një demonstratë të organizuar nga Partia Republikane Popullore (CHP), përpara një seance gjyqësore që mund të çojë në anulimin e rezultateve të kongresit të saj të vitit 2023 dhe delegjitimimin e udhëheqjes.
Kreu i CHP-së, Ozgur Ezel, e cilësoi procesin si “grusht shteti gjyqësor kundër partisë”, duke akuzuar qeverinë se nuk dëshiron demokraci e drejtësi sepse “nuk mund të fitojë zgjedhje kur ka demokraci dhe nuk mund të fshehë krimet e saj kur ka drejtësi”.
Protestuesit, të pajisur me flamuj turq dhe bluza me portretin e Ataturkut, brohoritën kundër presidentit Erdogan. “Erdogan, a e ke parë ndonjëherë sheshin Tandoghan kështu?”, pyeti Ezel nga podiumi, ndërsa turma iu përgjigj me thirrjet “Erdogan, jep dorëheqjen!”.
Procesi shihet nga opozita si një përpjekje për të dobësuar partinë më të vjetër të Turqisë, e cila shënoi fitore të rëndësishme në zgjedhjet lokale të vitit 2024 dhe po rritet në sondazhe.