
Kryeministri Edi Rama tha gjatë një interviste në “Opinion”, se qeveria e re do të ndërtohet mbi vullnetin e 11 majit dhe mbi ambicien që mazhoranca të sillet “me arritjet si opozitë”. Ai theksoi se objektivi kryesor i mandatit është mbyllja e negociatave me Bashkimin Evropian.
Rama nënvizoi se vijimi i punës për integrimin do të jetë një nga angazhimet më të mëdha të qeverisë. “Ky është objektivi i këtij mandati, të mbyllim negociatat me BE,” u shpreh ai.
Sa i përket kabinetit të ri, Rama tha se përvoja 12-vjeçare e qeverisjes është një aset i madh, por do të ketë edhe figura të reja. “Do të jetë qeveri e re, ku jo çdo ministër e ka parë veten në thashethemet publike,” tha ai, duke lënë të hapur mundësinë për surpriza në përzgjedhje.