
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes së Hashim Thaçit. James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit gjatë luftës në Kosovë, po paraqet dëshminë e tij në favor të ish-presidentit.
Mbrojtja e Thaçit ka parashikuar rreth 11 dëshmitarë. Pas saj, do të dëgjohen dëshmitarët e Jakup Krasniqit, ndërsa avokatët e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit nuk do të paraqesin prova shtesë. Të katërtit akuzohen nga Prokuroria për pjesëmarrje në “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, por janë deklaruar të pafajshëm.
Procesi gjyqësor vijon katër muaj pasi Prokuroria mbylli paraqitjen e saj me 125 dëshmitarë dhe mbi 130 dëshmi të shkruara. Sipas mbrojtjes, UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.
Aktakuza u bë publike në vitin 2020, ndërsa gjykimi ka nisur në prill 2023. Gjyqtarët presin që mbrojtja të dorëzojë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor.
Të dielën, mijëra shqiptarë u mblodhën në Hagë në protestë mbështetëse për ish-krerët e UÇK-së. Kryeministri Edi Rama reagoi duke thënë se e vetmja kërkesë është drejtësia: “Drejtësi, vetëm drejtësi, për Kosovën dhe çlirimtarët e saj.”