
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit gjatë luftës në Kosovë, James Rubin, pritet të nisë sot dëshminë në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi në Dhomat e Specializuara në Hagë. Seanca nis në orën 9:00 dhe transmetohet me 45 minuta vonesë për publikun.
Rubin është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, e cila ka paralajmëruar 11 dëshmitarë gjithsej. Pas tij, dëshmitarë do të thirren edhe nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, ndërsa avokatët e Kadri Veselit e Rexhep Selimit nuk kanë parashikuar prova të veçanta mbrojtëse.
Procesi gjyqësor, i nisur në prill 2023, zhvillohet katër muaj pasi Prokuroria përfundoi paraqitjen e saj me 125 dëshmitarë dhe mbi 130 dëshmi me shkrim. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, të akuzuar për krime të pretenduara lufte, i kanë mohuar akuzat duke u deklaruar të pafajshëm.
Gjykata ka caktuar 22 dhjetorin si afatin kur mbrojtja duhet të dorëzojë shkresat përfundimtare. Në të njëjtën kohë, protesta e 14 shtatorit në Hagë, ku u mblodhën mijëra shqiptarë nga mërgata dhe nga trojet, përcolli mesazhin e mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së. Kryeministri Edi Rama reagoi duke thënë se kërkesa e vetme është drejtësia, “asgjë më shumë e asgjë tjetër”.