
Shqipëria pritet të hapë sot katër kapituj të rinj të “Agjendës së gjelbër dhe ndërlidhjes së qëndrueshme”, në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në Konferencën e 6-të ndërqeveritare që mbahet në Bruksel, do të marrin dritën jeshile kapitulli 14 për transportin, kapitulli 15 për energjinë, kapitulli 21 për rrjetet transevropiane dhe kapitulli 27 për mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Kryeministri Edi Rama e quajti hapjen e katër kapitujve një “ritëm rekord”, pasi i shtohen 24 të tjerëve të hapur brenda më pak se një viti. Konferenca bashkëdrejtohet nga Rama dhe ministrja daneze e Çështjeve Evropiane, Marie Bjerre, vendi i së cilës mban presidencën e radhës të BE-së.
Deri tani Shqipëria ka çelur 4 nga 6 grupkapituj kryesorë: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm dhe Konkurrueshmërinë me Rritjen Gjithëpërfshirëse. Progresi në grupin e Themeloreve mbetet vendimtar për ritmin e negociatave.