
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, kërkoi dje në Nju-Jork mbështetje ndërkombëtare për të zgjeruar programet shqiptare të parandalimit dhe riintegrimit të personave të kthyer nga zonat e konfliktit.
Në konferencën kundër ekstremizmit të dhunshëm, të organizuar me nismën e Gjermanisë, Spiropali theksoi se programet shqiptare janë vlerësuar nga partnerët, por kërkojnë burime shtesë për t’u bërë të qëndrueshme në nivel kombëtar. Objektivi është zgjerimi i mbulimit në të gjitha bashkitë dhe financimi i trajnimeve për punonjës socialë, psikologë dhe mësues.
Qeveria shqiptare ka propozuar krijimin e një grupi pune me partnerë europianë dhe amerikanë për të ndarë praktikat më të mira dhe për të ndërtuar një fond të posaçëm. Sipas burimeve diplomatike, diskutimet për një marrëveshje financiare pritet të vazhdojnë pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Spiropali është pjesë e delegacionit të kryesuar nga Presidenti Bajram Begaj. Ajo do të marrë pjesë edhe në takimin e Platformës për Gratë Lidere të Asamblesë dhe në takime dypalëshe mbi sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtat e njeriut.