
Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe 28 të tjerë, mes të cilëve biznesmenë, shoqëri tregtare dhe OJF-ra.
Sipas SPAK, Veliaj akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre, pastrim parash dhe futje të sendeve të ndaluara në burg. Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, fshehje pasurie, pastrim parash dhe mosdeklarim/ deklarim të rremë të pasurisë në 2 raste. Hetimi dyshon se çifti ka përfituar shuma të mëdha dhe pasuri të paluajtshme nga kompani e OJF-ra, në këmbim të lejeve ndërtimi dhe fondeve publike të Bashkisë Tiranë.
SPAK thotë se paratë e përfituara janë futur në sistemin bankar përmes OJF-ve dhe shoqërive private të lidhura me Xoxën, ndërsa janë përdorur edhe të holla “cash” jashtë sistemit. Në një rast, Veliaj akuzohet se ka miratuar leje ndërtimi në kushtet e konfliktit të interesit.
Përveç çiftit, në bankën e të pandehurve shkojnë edhe drejtues e përfaqësues subjektesh private për “korrupsion aktiv”, “pastrim parash”, “fshehje të ardhurash” dhe vepra të tjera—përfshirë shoqëritë “Rametal”, “Agi Kons”, “Kontakt”, “Palushi”, “Fusha”, “Gerard-A”, “Lani” si dhe OJF-të “Harabel”, “Eventus”, “Muza”, “BYL-A”, “Frobolous”.
Të gjithë të pandehurit gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.