
Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra. Në kërkesën e dorëzuar, Veliaj argumenton se neni 115 i Kushtetutës lejon shkarkimin vetëm për shkelje të rënda, ndërsa mungesa e tij 7-mujore lidhet me paraburgimin dhe përbën një “pamundësi objektive”, jo një shkelje të vullnetshme.
Me këtë ankim, efektet e shkarkimit pezullohen dhe procesi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në kryeqytet mbetet i ngrirë. Tashmë, Gjykata Kushtetuese do të vendosë nëse Veliaj rikthehet në detyrë apo nëse hapet rruga për votime të reja në Tiranë.
Nëse gjykata pranon argumentet e Veliajt, precedentët mbi shkarkimin e kryebashkiakëve do të kufizohen ndjeshëm. Nëse i rrëzon, vendimi hap garën më të madhe politike të opozitës dhe mazhorancës: kontrollin e kryeqytetit.