
Bashkimi Evropian riafirmoi mbështetjen për Shqipërinë në procesin e reformave zgjedhore dhe theksoi se digjitalizimi i votimit duhet të shoqërohet me transparencë dhe mbrojtje nga rreziqet teknologjike.
Deklaratat u bënë gjatë Konferencës Rajonale “Digjitalizimi në Proceset Zgjedhore”, të organizuar në Tiranë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe International IDEA, me mbështetjen e BE-së.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, tha se teknologjitë digjitale po e transformojnë demokracinë, por paralajmëroi për rreziqe të reja si dezinformimi, manipulimi me inteligjencë artificiale dhe sulmet kibernetike.
“Teknologjia sjell mundësi të mëdha për pjesëmarrje dhe transparencë, por edhe sfida të reja që kërkojnë rregulla të forta dhe besim publik,” u shpreh Gonzato.
Ai përmendi kornizat ligjore të BE-së si modele për mbrojtjen e demokracisë online, përfshirë Aktin e Shërbimeve Digjitale, Aktin Evropian të Lirisë së Medias, Aktin e Inteligjencës Artificiale dhe Rregulloren për Transparencën e Reklamimit Politik.
Gonzato e cilësoi reformën zgjedhore si një moment kyç për Shqipërinë pas zgjedhjeve të majit 2025 dhe mirëpriti ngritjen e Komisionit të Përbashkët Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Ai theksoi se BE pret një proces gjithëpërfshirës, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
“Reformat zgjedhore dhe digjitale janë pjesë e angazhimeve të Shqipërisë për anëtarësim në BE,” tha Gonzato, duke shtuar se Brukseli do të vazhdojë mbështetjen për KQZ-në përmes projektit BE–Këshilli i Evropës “Mbështetje për Ciklin Zgjedhor në Shqipëri”, që synon forcimin e transparencës dhe integritetit të votimit elektronik.