
Gjykata e Lartë do të shqyrtojë këtë të enjte kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Meta kërkon që kjo gjykatë të rrëzojë vendimet e mëparshme të Gjykatës së Posaçme dhe të Apelit të GJKKO-së, të cilat kanë lënë në fuqi masën e paraburgimit. Trupi gjykues përbëhet nga relatorja Albana Boksi dhe gjyqtarët Sokol Binaj e Medi Bici.
Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024, nën akuzat për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Hetimi i SPAK, i mbyllur më 28 korrik, përfshin tre çështje të bashkuara: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror të Metës.
Seanca paraprake ishte parashikuar për 9 tetor, por u shty për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe do të zhvillohet këtë të enjte.