
Sot, nga ora 09:00 deri në 11:00, mbahen homazhet në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën pas një atentati me armë zjarri brenda sallës së Gjykatës së Apelit. Në ceremoni marrin pjesë figura shtetërore, kolegë dhe familjarë.
Ngjarja ndodhi gjatë një seance për çështje pronësie, kur Elvis Shkambi, nipi i njërës palë në proces, qëlloi ndaj gjyqtarit dhe plagosi dy persona të tjerë. Hetimet tregojnë se ai hyri i armatosur në gjykatë pa u kontrolluar, ndërsa pas krimit u dorëzua vullnetarisht. Punonjësi i sigurisë po hetohet për shpërdorim detyre, ndërsa vijojnë hetimet për rolin e familjarëve të autorit.