
Erion Veliaj ka lënë mëngjesin e sotëm paraburgimin e Durrësit dhe është nisur drejt Tiranës për të marrë pjesë personalisht në seancën publike të Gjykatës Kushtetuese, që do të nisë në orën 10:00.
Gjykata do të shqyrtojë padinë e tij kundër vendimit të qeverisë dhe dekretit të presidentit Bajram Begaj për shkarkimin nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës. Zbatimi i dekretit është pezulluar deri në vendimin përfundimtar.
Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej shkurtit për akuza korrupsioni dhe pastrimi parash, mori leje të veçantë për pjesëmarrjen në seancë, me miratim të SPAK dhe Drejtorisë së Burgjeve.
Qeveria e shkarkoi atë një muaj më parë, pas shtatë muajsh mungesë në detyrë, ndërsa Presidenti dekretoi zgjedhjet e pjesshme më 9 nëntor. Gjykata Kushtetuese pezullon dekretin vetëm për Bashkinë e Tiranës, deri në vendimin përfundimtar.