
Kuvendi i Kosovës nuk i dha votëbesimin Albin Kurtit për formimin e qeverisë së re. Nga 110 deputetë të pranishëm, vetëm 56 votuan pro, 52 kundër dhe 4 abstenuan, duke bërë që kabineti “Kurti 3” të mos miratohet.
“Me 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi nuk e zgjodhi Qeverinë e Republikës së Kosovës”, njoftoi kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.
Gjatë seancës, Kurti tha se oferta e Vetëvendosjes për bashkëqeverisje ishte e sinqertë dhe theksoi se “çdo ditë pa qeveri me kompetenca të plota është humbje për qytetarin dhe për shtetin”.
Ai kërkoi mbështetje për votimin e qeverisë, duke përmendur prioritetet si buxheti, rritja e pagave e pensioneve dhe miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.
Pas dështimit të votimit, presidentja Vjosa Osmani duhet të nisë brenda dhjetë ditësh konsultimet me partitë për caktimin e një mandatarit të ri. Nëse as përpjekja e dytë dështon, Kushtetuta parashikon shpalljen e zgjedhjeve të reja brenda 45 ditësh.