
Rreth 50 udhëheqës evropianë mblidhen sot në samitin e shtatë të Komunitetit Politik Evropian, me fokus luftën në Ukrainë dhe sigurinë në kontinent.
Në të pritet të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Takimi pason samitin informal të 27 krerëve të BE-së të mërkurën, po në Kopenhagë.
Në rend dite janë kërcënimet tradicionale dhe hibride, siguria ekonomike, trafiku i drogës dhe migracioni. Rusia dhe Bjellorusia nuk janë të ftuara.
Shqipëria përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama. Kosovën e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.
Komuniteti Politik Evropian u propozua në vitin 2022 nga presidenti francez Emmanuel Macron për të nxitur dialogun ndërmjet vendeve brenda dhe jashtë BE-së. Samiti i fundit u zhvillua në Tiranë në maj 2025.