
Me himnin kombëtar dhe flamujt kuqezi, mijëra qytetarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora u mblodhën dje në sheshin “Skënderbej” në Tiranë në protestën mbarëkombëtare “Liria ka emër”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Në shesh u dëgjuan thirrje si “UÇK” dhe “Liri për çlirimtarët”, ndërsa pjesëmarrësit mbanin bluza me mbishkrimin “Unë jam UÇK”. Në podium folën drejtues të organizatës së veteranëve të UÇK-së, personalitete publike dhe politikanë nga rajoni.
Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, e cilësoi procesin në Hagë “të njëanshëm dhe të padrejtë”, duke theksuar se “po tentohet të barazohet viktima me xhelatin”. Ai tha se “UÇK-ja nuk ka nevojë të dëshmojë se ishte ushtri çlirimtare — këtë e vërtetojnë historia, populli dhe varret e dëshmorëve”.
Në protestë morën pjesë edhe ish-presidenti Alfred Moisiu dhe lideri i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, të cilët kërkuan drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Ahmeti e quajti gjykimin “produkt të një fushate ruso-serbe”, ndërsa Moisiu tha se “katër udhëheqësit e UÇK-së po mbahen në burg pa prova”.
Protesta, e treta e këtij viti pas atyre në Prishtinë dhe Hagë, u shoqërua me këngë patriotike dhe mesazhe uniteti. Kryeministri Edi Rama e përshëndeti tubimin me fjalët “Zemra mal”, duke e cilësuar si një shprehje të krenarisë kombëtare.
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë vijon që prej prillit 2023. Të katërt i kanë mohuar akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa mbështetësit e tyre e konsiderojnë procesin si përpjekje për të njollosur luftën për lirinë e Kosovës.