
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në Berlin se është koha që Bashkimi Evropian ta shohë Ballkanin Perëndimor si potencial dhe jo si barrë.
Gjatë një bashkëbisedimi në një universitet gjerman, ajo theksoi se zgjerimi i BE-së duhet të shihet si domosdoshmëri strategjike dhe jo të ndikohet nga kalkulimet politike të vendeve anëtare.
“Sa më shumë që rajoni ynë afrohet me BE-në, aq më shumë do të ketë paqe dhe siguri. Kjo është e mirë për gjithë Evropën,” tha Osmani, duke theksuar potencialin njerëzor, ekonomik dhe të sigurisë që ofron Ballkani.
Ajo mbështeti heqjen e vetos brenda Këshillit të BE-së, duke argumentuar se shpesh një vend ka bllokuar vullnetin e përbashkët të Unionit.
Osmani kujtoi se Kosova ka përafruar plotësisht politikën e saj të jashtme me atë të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë, ndërsa kritikoi Serbinë për mungesë përputhjeje me qëndrimet evropiane.
“Serbia, bashkëpunëtore e Rusisë, vazhdon të minojë sovranitetin e Kosovës përmes destabilizimit dhe dezinformimit,” tha ajo.
Kosova mbetet i vetmi vend i rajonit pa status kandidat për BE, ndonëse aplikimi për anëtarësim është dorëzuar që në dhjetor 2022.