
Presidenti i Republikës dekretoi të dielën, 9 nëntor 2025, si datë për zgjedhjet e pjesshme të kryetarëve të bashkive Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.
Në pesë bashki vakancat u krijuan pas dorëheqjes së kryetarëve, ndërsa në Tiranë pas shkarkimit të kryebashkiakut nga Këshilli i Ministrave, me propozim të Këshillit Bashkiak që votoi 50 me 1 për hapjen e procesit zgjedhor.
Presidenca sqaroi se për rastin e Tiranës u verifikua procedura e ndjekur dhe se nuk ka vendim pezullimi nga gjykatat. Shkarkimet për “mosparaqitje në detyrë për 3 muaj” ankimohen vetëm në Gjykatën Administrative dhe nuk pezullohen automatikisht, ndryshe nga rastet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës.
Me shpalljen e dekretit, mjetet ligjore mbeten të hapura për palët. Presidenti bëri thirrje që fushata të zhvillohet në mënyrë etike dhe qytetarët të marrin pjesë masivisht në votime.