
Disa mijëra persona morën pjesë në protestat pro palestineze në Londër dhe qytete të tjera britanike, pavarësisht kërkesës së kryeministrit Keir Starmer që ato të mos mbaheshin në përvjetorin e sulmeve të 7 tetorit 2023.
Në Londër, qindra studentë brohoritën “Lironi Palestinën” dhe “Ndaloni gjenocidin në Gaza”, duke theksuar se protesta ishte shenjë solidariteti dhe jo mungesë respekti, siç e kishte quajtur Starmer.
Kryeministri kishte paralajmëruar se demonstratat po shfrytëzohen nga disa për të sulmuar hebrenjtë britanikë, pas një sulmi në sinagogën e Mançesterit që la dy të vdekur. Por pjesëmarrësit thanë se qëllimi i tyre ishte të denonconin mizoritë në Gaza dhe të kërkonin drejtësi për palestinezët.
Qeveria britanike kishte bërë thirrje për shtyrjen e protestave për shkak të tensioneve, ndërsa në Londër rreth 1 000 persona u mblodhën në mbështetje të organizatës së ndaluar “Palestina Action”.
Sipas të dhënave izraelite, sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 vrau 1 219 persona dhe mori peng 251 të tjerë, ndërsa ofensiva izraelite që pasoi ka shkaktuar mbi 67 000 viktima palestineze në Gaza.