
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Londër për një vizitë pune, ku pritet të zhvillojë takime me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë britanike.
Të mërkurën, Rama do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, ku Mbretëria e Bashkuar pret liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Diskutimet do të fokusohen në bashkëpunimin ekonomik rajonal, sigurinë dhe menaxhimin e migracionit të parregullt. Londra synon të forcojë partneritetin me rajonin për zbatimin e strategjisë së saj kundër kontrabandës dhe për forcimin e kufijve.
Gjatë qëndrimit, Rama do të marrë pjesë në disa forume ndërkombëtare mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin evropian.