
Kuvendi do të zhvillojë këtë të hënë, më 27 tetor, një seancë maratonë ku pesë institucione të drejtësisë do të paraqesin raportet vjetore të punës: Prokuroria e Përgjithshme, SPAK, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Për çdo raportim janë parashikuar nga 150 minuta debat, nëse seanca do të vijojë pa ndërprerje apo përplasje politike.
Në rendin e ditës është përfshirë edhe votimi i dy projektvendimeve për ngritjen e Komisioneve të Posaçme Parlamentare për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Administrativo-Territoriale. Të dyja nismat kanë marrë dakordësinë e mazhorancës dhe opozitës për ndarje të barabartë të anëtarëve, bashkëdrejtim dhe përfshirje të ekspertizës ndërkombëtare.