
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj gjigantëve rusë të naftës Rosneft dhe Lukoil, në përpjekje për të ulur të ardhurat që financojnë luftën e Moskës kundër Ukrainës.
Ky është raundi i parë i sanksioneve ndaj Rusisë që kur presidenti Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se masat synojnë t’i japin fund një lufte “të pakuptimtë” dhe të detyrojnë Kremlinin të pranojë një armëpushim.
“Tani është koha për të ndaluar vrasjet dhe për një armëpushim të menjëhershëm,” deklaroi ai, duke paralajmëruar se mund të ketë masa të tjera nëse Rusia nuk ndryshon kursin.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të kompanive dhe ndalimin e çdo transaksioni me entitete amerikane.
Vendimi i Uashingtonit pason masa të ngjashme të Britanisë, ndërsa Bashkimi Evropian ka sanksionuar vetëm Rosneft për shkak të përjashtimeve që lejojnë Hungarinë dhe Sllovakinë të vazhdojnë blerjet e naftës ruse.
Presidenti Trump njoftoi gjithashtu anulimin e një samiti të planifikuar me Vladimir Putinin, duke sinjalizuar përkeqësimin e marrëdhënieve SHBA–Rusi.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshëndeti vendimin amerikan si “një sinjal të qartë të unitetit transatlantik” dhe konfirmoi se BE-ja po përgatit paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Moskës.