
Presidenti amerikan Donald Trump është larguar nga Malajzia, duke përfunduar fazën e parë të turneut të tij diplomatik në Azi. Ai pritet të mbërrijë në Japoni, ku të martën do të takohet me kryeministren Sanae Takaichi dhe me perandorin e Japonisë.
Gjatë qëndrimit në Kuala Lumpur, Trump mori pjesë në nënshkrimin e një deklarate paqeje mes Tajlandës dhe Kamboxhias, të cilën e quajti “historike”. Ai njoftoi gjithashtu arritjen e një kuadri të ri tregtar mes SHBA-së dhe Kinës, përpara takimit të planifikuar me presidentin Xi Jinping.
Në një mesazh në rrjetin e tij Truth Social, Trump tha: “Nënshkruam marrëveshje të mëdha tregtare dhe, më e rëndësishmja, Traktatin e Paqes midis Tajlandës dhe Kamboxhias. JO LUFTË! Miliona jetë të shpëtuara.”
Turneu gjashtëditor i presidentit amerikan në Azi do të përqendrohet në sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin ekonomik, ndërkohë që në Uashington vazhdon bllokimi i qeverisë federale dhe debatet për operacionet ushtarake kundër trafikut të drogës në Karaibe.