
Shqiptarët kudo në botë shënojnë sot 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një nga datat më të rëndësishme të historisë së shtetit shqiptar.
Më 28 nëntor 1912, Kuvendi i Vlorës, i udhëhequr nga Ismail Qemali, shpalli shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe ngriti flamurin në qytetin bregdetar. Në mbledhje morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, prej të cilëve 40 nënshkruan Aktin e Pavarësisë.
Ky moment historik u konsiderua “Nëntori i dytë”, në kujtim të 28 nëntorit 1443, kur Skënderbeu çliroi Krujën dhe ngriti flamurin në kala. Pavarësia e vitit 1912 u shpall në një kohë kur forcat serbe po përparonin drejt Shqipërisë së Mesme, ndërsa qytete si Elbasani, Tirana, Durrësi, Kavaja e Lushnja ngritën flamurin para mbërritjes së delegatëve në Vlorë.
Shpallja i dha fund gati pesë shekuj sundimi osman dhe hapi rrugën për zhvillimin politik, ekonomik e kulturor të vendit. 28 nëntori shënon edhe dy data të tjera simbolike: fillimin e transmetimeve të Radio Tiranës në vitin 1938 dhe lindjen e Adem Jasharit në vitin 1955. Që prej vitit 2017, kjo ditë është festë zyrtare edhe në Kosovë.