
Në Tiranë u nënshkrua sot marrëveshja e grantit prej 54 milionë eurosh nga Bashkimi Europian dhe Banka Botërore për programin e transportit të sigurt dhe të qëndrueshëm, në kuadër të samitit “Plani i Rritjes – Rruga jonë drejt BE-së”.
Sipas përfaqësueses së Komisionit Europian, Valentina Superti, fondet do të përdoren për përmirësimin e sigurisë rrugore e hekurudhore, digjitalizimin e sistemeve, rritjen e kapaciteteve teknike dhe zgjerimin e korsive. Me këtë grant, mbështetja totale e BE-së për transportin arrin në 134 milionë euro që nga viti 2023.
Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu, tha se fondi ka rëndësi strategjike për rajonin dhe është vetëm nisja e një serie projektesh të reja për modernizimin e transportit. Ajo shtoi se programi lehtëson qarkullimin në pikat kufitare, digjitalizon sistemet dhe lidhet me 219 milionë euro financime të tjera për infrastrukturën rajonale.
Superti dhe Yu vlerësuan bashkëpunimin BE–BB–Ballkani Perëndimor, duke e cilësuar Programin “Lehtësimi i Transportit 2” si një hap konkret drejt integrimit të rrjetit të transportit të rajonit në BE.