
Partia Demokratike e Kosovës ka zgjedhur dje Bedri Hamzën si kryetar të ri, gjatë Konventës së mbajtur në Prishtinë.
Hamza u votua me procedurë të hapur dhe pa asnjë votë kundër, pasi ishte kandidati i vetëm në garë. Zgjedhja e tij erdhi pas dorëheqjes së Memli Krasniqit javën e kaluar.
62-vjeçari Hamza ka shërbyer dy herë si ministër i Financave dhe këto katër vitet e fundit ka drejtuar komunën e Mitrovicës së Jugut. Ai ishte edhe kandidati i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Zgjedhja u shoqërua me debat të brendshëm. Enver Hoxhaj kërkoi shtyrjen e Konventës dhe e quajti garën “të mbyllur e jodemokratike”, duke mos marrë pjesë në votim. Sipas statutit të PDK-së, çdo kandidat duhet të sigurojë 50 firma delegatësh dhe t’i dorëzojë pesë ditë para konventës — një afat që Hoxhaj nuk e përmbushi.
Analistët politikë vlerësojnë se Hamza merr drejtimin e partisë në një moment vendimtar, me zgjedhjet parlamentare që mund të mbahen qysh në dhjetor. Hamza është zotuar për reforma dhe për ta rikthyer PDK-në “si partinë kryesore në vend”.
Sipas analistëve, sfida e tij kryesore do të jetë ringritja e partisë me figura të reja dhe besueshmëri më të gjerë elektorale.