
Marrëveshja e Dejtonit, e arritur më 21 nëntor 1995 për t’i dhënë fund luftës në Bosnjë, solli paqe, por la pas një arkitekturë politike tepër të ndërlikuar. Ajo e ndau vendin në dy entitete dhe një rajon autonom dhe krijoi Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë, me kompetenca të gjera mbi institucionet vendase.
Sot, ndërsa shënohen tre dekada nga fundi i luftës, vetë Dejtoni është bërë tema më e debatuar politike në vend. Liderë si Milorad Dodik e përdorin si bazë për retorikë separatiste, ndërsa boshnjakët e shohin si pengesë për funksionimin e shtetit. Dodik është dënuar me burg dhe ndalim politik pas mosnjohjes së Përfaqësuesit të Lartë.
Marrëveshja që “ndali armët” ka prodhuar një sistem vendimmarrës të fragmentuar: pesë presidentë, 13 kryeministra dhe mbi 130 ministra, ku edhe ligjet më të thjeshta kërkojnë konsensus të tre palëve. Për shumëkënd, Dejtoni ka garantuar paqen, por ka penguar funksionimin. Debati për përditësimin e tij sa vjen e rritet.