
Në Prishtinë, zëvendëskryeministri në detyrë dhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar Bashkimin Evropian se Serbia po bllokon fondet e destinuara për Luginën e Preshevës.
Bislimi tha se Serbia ka refuzuar tre herë radhazi transferimin prej 304 mijë eurosh, një shumë e dedikuar për tekstet shkollore, aktivitetet e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe programet e mbështetjes institucionale.
Sipas tij, rreth 3.650 fëmijë shqiptarë në Luginë përdorin mbi 35 mijë tekste të financuara nga Kosova, ndërsa të gjitha procedurat ligjore dhe dokumentet bankare janë dorëzuar tashmë në BE.
Ai shtoi se refuzimet po bëhen “pa asnjë arsye ligjore apo teknike”, dhe se një qasje e ngjashme është vërejtur edhe në anulimin e programit të subvencioneve bujqësore për fermerët shqiptarë në zonë.
Brukseli ndërkohë ka përsëritur se është në pritje të kushteve të përshtatshme për të thirrur takimin e radhës në dialogun Kosovë–Serbi.
Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit u mbajt në shtator të vitit 2023.