
Prokurori i përgjithshëm i Spanjës, García Ortiz, dha sot dorëheqjen pasi Gjykata e Lartë e shpalli fajtor për rrjedhjen e informacionit konfidencial lidhur me partneren e një politikani të opozitës. Ortiz tha se u tërhoq “nga respekti i thellë për vendimet gjyqësore”.
Zëdhënësja e qeverisë, Pilar Alegría, deklaroi se ekzekutivi e respekton vendimin, por nuk pajtohet me të, duke paralajmëruar se mungesa e unanimitetit në gjykatë ka krijuar “një precedent shqetësues” dhe zhgënjim publik.
Rasti lidhej me hetimet e vitit 2024 ndaj Alberto González Amador, i dyshuar për mashtrim tatimor prej 350 mijë eurosh gjatë pandemisë. Media publikoi detaje të bisedimeve midis prokurorisë së Madridit dhe avokatit të tij për një marrëveshje, çka çoi në çështjen ndaj Ortizit.
Ngjarja shihet si shembull i standardit europian të përgjegjshmërisë publike — në kontrast me Shqipërinë, ku dorëheqja si akt politik mbetet e rrallë edhe në rastet e hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë.