
Pas një seance maratonë me debate dhe tensione, Kuvendi miratoi në orët e para të mëngjesit projektbuxhetin 2026 dhe të gjithë paketën fiskale, vetëm me votat e mazhorancës.
Buxheti prej 8.8 miliardë eurosh mori 83 vota pro nga deputetët socialistë, ndërsa opozita votoi plotësisht kundër. I vetmi devijim brenda PS ishte Vullnet Sinaj, që abstenoi në dy projektligje të lidhura me “Paqen Fiskale”.
Deputeti i Partisë Mundësia, Erlad Kapri, u bëri thirrje kolegëve të mos e mbështesin projektbuxhetin, duke e cilësuar “vazhdimësi të një qeverisjeje që përzien pushtetin politik me pushtetin ekonomik”.
Në total, u votuan në prani të 112 deputetëve nëntë projektligje, të gjitha të miratuara me 82–83 vota pro dhe 30–32 kundër. Pjesa më e madhe e ndryshimeve lidhej me tatimet, TVSH-në, taksat vendore, rivlerësimin e pasurive, fshirjen e detyrimeve dhe marrëveshjen e “Paqes Fiskale”.
Projektligji për buxhetin e vitit 2026 u miratua me 83 vota pro dhe 32 kundër.