
SPAK ka intensifikuar hetimet ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka, më shumë se një vit pas nisjes së procedimit penal. Ai dyshohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, përfshirë mosdeklarimin e një vile në Gjirin e Lalzit dhe abuzime gjatë kohës kur drejtonte Bordin e Entit Kombëtar të Banesave në vitin 2008.
Hetimi synon mënyrën si familjarë të tij përfituan katër banesa të destinuara për të pastrehët në Sarandë. SPAK i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme dokumentet e plota të asaj periudhe, ndërsa BKH po verifikon rrethanat e përfitimit të banesave dhe rolin e Nokës në proces. Në ditët në vijim pritet të merren në pyetje përfituesit dhe anëtarët e atëhershëm të bordit.
Dosja përfshin edhe mënyrën si Noka u emërua në EKB dhe si përfitoi një kredi 50 mijë euro me statusin “i pastrehë”, për të blerë një apartament që më vonë e shiti me fitim të madh, duke krijuar pasuri të konsiderueshme brenda pak vitesh. SPAK po verifikon nëse kjo pasuri është rezultat i abuzimit me funksionin publik.