
Transporti urban në Prishtinë u bllokua sot nga protesta e punëtorëve të Trafikut Urban, të cilët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Komuna pasi situata financiare ka arritur pikën kritike.
Kryetari i sindikatës, Elmi Gashi, tha se punëtorët kërkojnë vetëm pagat e prapambetura dhe kompensimin e dëmeve të mbledhura ndër vite. “Jemi para jush sepse kërkojmë pagat tona. Nuk ka naftë, nuk ka shërbime, nuk ka paga,” tha ai, duke paralajmëruar paralizim të plotë të shërbimit.
Sipas sindikatës, Komuna i detyrohet ndërmarrjes 3.2 milionë euro, ndërsa borxhet ndaj furnitorëve arrijnë në 1.6 milionë euro. Gashi i bëri thirrje kryetarit Përparim Rama të takohet me punëtorët dhe të mos lejojë politizimin e situatës, e cila prek rreth 60 mijë përdorues të transportit ditor.