
Kryeministri Edi Rama tha sot se pezullimi i zv/kryeministres Belinda Balluku do të respektohet plotësisht, por qeveria do të kërkojë shqyrtimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Ai theksoi se vetëm kjo gjykatë mund të vlerësojë nëse vendimi i strukturave speciale ka cenuar pavarësinë dhe funksionimin e ekzekutivit.
Rama deklaroi se pavarësia e drejtësisë mbetet parimi i panegociueshëm i qeverisë, pavarësisht se e cilësoi pezullimin një rast unik dhe problematik për një sistem ende të ri. Ai shtoi se qeveria nuk do të reagojë me “arbitraritet”, por me “durim strategjik”, ndërsa theksoi se respektimi i drejtësisë është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit europian.