
Kryeministri Edi Rama reagoi pas protestave kundër projektligjit “Për barazinë gjinore”, duke e cilësuar atë “plotësisht në përputhje me parimet e Bashkimit Evropian” dhe duke dënuar, siç tha, “keqpërdorimin për të shtrembëruar perceptimin publik”.
“Në mënyrë fyese është përdorur një ligj shumë fisnik dhe është shfrytëzuar Ambasadori i BE-së për qëllime të ulëta,” shkroi Rama në platformën X, duke shtuar: “Qentë le të lehin, karvani ecën përpara.”
Kryeministri shpërndau gjithashtu reagimin e komisares evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila theksoi se barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë parime themelore të BE-së dhe pjesë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë. “Çdo sulm ndaj ambasadorit evropian është i papranueshëm,” shtoi ajo.
Më herët gjatë ditës, dhjetëra qytetarë dhe përfaqësues të opozitës protestuan para Kuvendit kundër projektligjit, i cili synon të garantojë trajtim të barabartë në të gjitha fushat e jetës publike dhe private. Ligji pritet të miratohet sot në seancë plenare.