
Kryeministri Edi Rama deklaroi në Forumin e Zgjerimit të BE-së në Bruksel se një Evropë e bashkuar “formëson vetë fatin e saj”, ndërsa ribashkimi i kontinentit përmes zgjerimit mbetet “përgjigja më strategjike” e Bashkimit Evropian në këtë moment.
Rama u ndal te hapja e grup-kapitullit të fundit të negociatave të Shqipërisë, duke thënë se rrallëherë zgjerimi ka prodhuar “kaq shumë debat pozitiv dhe energji politike”. Ai theksoi se vendi ka rikuperuar kohën e humbur dhe ka hapur të gjithë kapitujt brenda 14 muajve, duke u vendosur “në krye të ritmit të integrimit në Ballkanin Perëndimor”.
Sipas tij, mbështetja e qytetarëve për BE-në mbetet e jashtëzakonshme: 92 për qind deklarohen pro vlerave evropiane dhe 91 për qind pro anëtarësimit, sipas barometrit të fundit evropian. Rama tha se Shqipëria ka kaluar një rrugë të gjatë, por sot hyn në fazën përfundimtare të procesit me “kokën lart dhe kapacitet tërësisht të ndryshëm nga e shkuara”.
Forumi i Zgjerimit të BE-së konsiderohet nga Komisioni Evropian si platforma qendrore për të ngritur në një nivel më të lartë debatin mbi zgjerimin dhe rolin e tij në arkitekturën e sigurisë evropiane.