
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për “Corriere della Sera” se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë po hyjnë në një fazë të re, veçanërisht në energji, mbrojtje, siguri kufitare dhe çështje gjeopolitike.
Sa i takon qendrave italiane të emigrantëve në veri të Shqipërisë, Rama tha se modeli i tyre do të vlerësohet pas zbatimit të Paktit të ri Evropian për Migracionin. Ai theksoi se Shqipëria “nuk ka investuar asnjë euro” në këtë projekt dhe se akuzat për kosto janë të pabazuara.
Kreu i qeverisë nënvizoi rolin kyç të Italisë në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, duke shprehur synimin për të mbyllur negociatat brenda vitit 2027.
Për krizën në Ukrainë, Rama përsëriti mbështetjen e plotë për integritetin territorial të Kievit, por shprehu shqetësim se Evropa ende nuk ka një plan të qartë paqeje.
Intervista thekson edhe vlerësimin e Ramës për rolin e ri të Italisë në skenën ndërkombëtare nën drejtimin e Giorgia Melonit.