
Irani ka vendosur të mos marrë pjesë në shortin e Kupës së Botës 2026 në Uashington, pasi disa anëtarëve të delegacionit iu refuzuan vizat. Lajmi u konfirmua nga agjencia IRNA, që citoi zëdhënësin e federatës, Amir-Mahdi Alavi. Ai tha se pengesat e krijuara nga autoritetet amerikane shkonin përtej aspektit sportiv.
Federata iraniane ka kërkuar ndërhyrjen e FIFA-s, por organi qeverisës nuk ka komentuar ende. Nuk ka reagim as nga Shtëpia e Bardhë. Vendimi vjen në një kohë kur administrata e Presidentit Donald Trump ka shpallur ndalim udhëtimi për qytetarët e 12 vendeve, përfshirë Iranin, megjithëse për garat sportive parashikohen disa përjashtime.
Delegacioni iranian pritej të udhëhiqej nga Mehdi Taj, një figurë e lartë e futbollit aziatik dhe anëtar i komisioneve të FIFA-s, në një Botëror që për herë të parë do të ketë 48 ekipe pjesëmarrëse.