
Shqipëria dhe Italia zhvillojnë sot në Romë samitin e parë ndërqeveritar mes dy qeverive — një ngjarje që synon forcimin e partneritetit strategjik mes vendeve fqinje.
Takimi, që drejtohet nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri Edi Rama, është parashikuar të nisë në orën 11:30. Në qendër të diskutimeve janë tre tema kryesore: mbrojtja, industria dhe emigracioni.
Kryeministri Rama e ka cilësuar këtë një ditë historike për marrëdhëniet dypalëshe, duke njoftuar se samiti do t’i hapë rrugë 16 marrëveshjeve të reja konkrete bashkëpunimi.
Gjatë ditës pritet të zhvillohen edhe takime dypalëshe të ministrave me homologët e tyre, ndërsa marrëveshjet do të shtrihen në fusha si siguria, energjia, turizmi, shëndetësia dhe ekonomia.
Ky është samiti i parë i këtij formati mes Tiranës dhe Romës, dhe pritet të shënojë një etapë të re në bashkëpunimin mes dy vendeve.