
Një shtetas i Kosovës nga komuniteti serb, me inicialet M.V., dyshohet se është plagosur dhe më pas rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga pjesëtarë të xhandarmërisë serbe, njoftoi Policia e Kosovës.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 1 nëntor në zonën e Komunës së Leposaviqit, në afërsi të pikës kufitare të quajtur “pika zero”. Policia theksoi se vendi i incidentit ndodhet brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Sipas dëshmitarëve, disa persona të maskuar kanë hyrë në territorin kosovar, kanë plagosur dhe rrëmbyer viktimën, të cilin më pas e kanë transportuar drejt Serbisë me një autoambulancë në drejtim të qytetit të Nishit.
Policia tha se po bashkëpunon me KFOR-in dhe institucionet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet për “rrëmbim dhe plagosje të rëndë”.